DioGuardi në takim me kongresmenin Donovan: SHBA të ruhet nga ndikimi rus në Maqedoni!

Maqedoni

Lajme / Maqedoni 6 Shikime

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni vijojnë të jenë në qendër të organizatës së parë dhe më të njohur lobuese në SHBA, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Së fundmi, kjo organizatë pati një takim me kongresmenin e rajonit të Staten Island në New York, republikanin Dan Donovan, informon INA.

Drejtuesit e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresmeni arbëresh Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi, e njohën zotin Donovan me të gjitha shqetësimet e shqiptarëve në Maqedoni dhe për rrezikun e ndikimit rus e turk atje.

Pasi i bënë një prezantim të hollësishëm me historinë e shtetit të Maqedonisë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe për cenimin e të drejtave të shqiptarëve, çifti DioGuardi theksoi domosdoshmërinë e prezencës amerikane në rajon, si e vetmja zgjidhje për paqe dhe qëndrueshmëri.

“Kemi liderë të politikës që janë të korruptuar dhe kanë kontroll. Ne po luftojmë për t’i larguar ata, në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Problemi është se kanë kapërcyer nga komunizmi, në korrupsion. Europa nuk merr përsipër zgjidhje për asgjë kur bëhet fjalë për shqiptarët. SHBA-së i duhet gjithmonë që të shkojë atje dhe të pastrojë rrëmujën. Mesazhi im është, që të mos presim derisa të krijohet ajo rrëmujë. Këtë thashë para zyrtarëve të Departamentit të Shtetit edhe në seancën dëgjimore në Kongres që u mbajt në maj të këtij viti. SHBA duhet të përfshihet. Duhet të jemi vigjilentë. Për Maqedoninë në veçanti, duhet të sigurohemi që premtimi që është dhënë më shumë se 15 vjet më parë, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, i quajtur Marrëveshja e Ohrit, të mbahet”, theksoi DioGuardi. Ai tha se shqiptarët në Maqedoni nuk po kërkojnë shtet, por ate që u takon.

” A po kërkojmë ne që shqiptarët në Maqedoni të kenë shtetin e tyre? Jo. A e duam ne këtë gjë? Kur nuk shërbehesh nga qeveria jote; kur ndaj popullit tënd ka kaq shumë padrejtësi; kur nuk ka punë për shqiptarët, njerëzit kërkojnë për zgjidhje. Kur nuk ke punë, ku është dinjiteti i njeriut…”, ka theksuar ish-kongresmeni DioGuardi.

Dy përfaqësuesit e komunitetit dibran në SHBA, kryetari i shoqatës “Dibra”, Dashnor Miftari dhe ish-kryetari i kësaj shoqate, Ibrahim Kolari, treguan gatishmërinë për të mbështetur si komunitet kongresmenin Donovan, në mënyrë që ai të luftojë në Kongres për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni e kudo.

Kongresmeni Donovan dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe kërkesat e çiftit DioGuardi dhe shqiptarëve të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në zonën e tij, në Staten Island të Neë York-ut. Ai theksoi rëndësinë e një bote të qëndrueshme, e cila do të japë më shumë siguri edhe për vetë SHBA-në. (INA)

 

Komentimet