“USHTRIA E MIANMARIT ASGJËSON KUFOMAT E TË VRARËVE DUKE I DJEGUR”

29

Drejtori i organizatës për të drejtat e njeriut “The Arakan Project” me qendër në Tajlandë, Chris Lewa, ka pohuar se ushtria e Mianmarit djeg kufomat e të vrarëve në Arakan në mënyrë që të mos lënë prova, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kemi konstatuar se ushtria dhe civilët e tjerë mbledhin dhe djegin kufomat e personave që kanë vrarë, në mënyrë që prapa tyre të mos lënë prova”, ka thënë Lewa në një deklaratë për BBC në lidhje me dhunën që ushtrohet ndaj muslimanëve të Arakanit nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë.

Reklama

Ai është shprehur se organizata e tyre vëzhgon incidentet e dhunës në Arakan, duke shtuar se të paktën 130 muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën vetëm në një vendbanim në qytetin Rathidaung.

Lewa ka shtuar se kanë dëgjuar zëra që në tri fshatra të tjerë të jenë vrarë “dhjetëra” muslimanë të Arakanit.

“Forcat e sigurisë rrethojnë fshatrat dhe hapin zjarr në drejtim të njerëzve. Po ashtu, nëse bëjmë krahasim me ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar, në ngjarjet aktuale shohim se ushtrisë i janë bashkangjitur shumë më shumë njerëz nga popullata budiste”, ka thënë Lewa.

Ndryshe, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se 87 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi./Shenja.tv/
Çdo klikim / vizitë e juaj tek reklamat do të ndihmoj në mirmbajtjen e faqes, ju falemenderojm për mirëkuptimin.